The first row is for desktop, and second row is for Tab and Mobile.
You can right click on this text and use Navigator for easy editing. This text message is hidden on all screens using Advanced/responsive tab on left.
Historia e
Fshati Dobrdoll sipas gojëdhënave emrin e ka marrë siç thonë se dikur në të kaluarën e largët kanë ndarë një vijë uji nga lumi Mosdaç dhe se në vendin e quajtur te gështenjat paska qenë fshati në lugun karakteristik që ka pasur tokë të mirë kultivuese për shumë rendimente të prodhimeve të bujqësisë e të ngjashme, ku uji me kalimin e kohës ka krijuar Lugun e Mirë. Ky lokalitet përmendet në historiografi në vitin 1308 nga autori bullgar L. Serafimov në veprën “TETOVSKO”-Pllovdiv 1900, ku në faqen 66, ndër të tjera përshkruhet si lokalitet ngase ka qenë nën juridiksionin e Kishës së Shën Niketës së Rashçes, po ashtu në shekullin e XV gjegjësisht në historiografinë e dëshmive të Isa Beut në Pollogu të Tetovës dhe Gostivarit në vitin 1455, fshati i sotëm Dobrdoll përmendet se ka pasur 52 shtëpi, /Dr. Hazim Shabanoviç “Krajista Isa-Beg is’hakovica zbirni katastarski popis iz 1455” na jep të dhënat e lartpërmendura për vakufet e Tetovës që janë bërë prej 9 deri 18 maj 1455/.
Ndërsa në regjistrimet e perandorisë osmane haset me këto të dhëna në vitin 1452/53 kanë jetuar 52 familje, 8 të pamartuar, 1467/68 kanë jetuar 68 familje, 3 të pamartuar dhe 2 vejusha, në vitin 1481/82 kanë jetuar 65 familje, 4 vejusha, në vitin 1544/45 kanë jetuar 36 familje dhe 6 të pamartuar, në vitin 1568/69 kanë jetuar 30 familje dhe 16 të pamartuar si dhe për herë të parë hasen edhe 2 familje të fesë islame. /Të dhëna osmane, shih në librin e autorëve Aleksandar Stojanovski & Dragi Gjorgiev “NASELBI I NASELENIE VO MAKEDONIJA-XV I XVI VEK”-SKOPJE 2001/
Po ashtu edhe në rrafshin e dëshmive antropologjike hasim të shënuar në dokumentet e shekullit XV- si NETKO, b. GONIT- fsh. Dobridoll TD 372- viti 1467/68 si dhe shumë e shumë patronime që përkojnë me këtë fshat.
Rrugës rajonale rrëzë Malit Sharr afër 7 km larg Gostivarit shtrihet fshati Dobërdoll. Daton që nga mesjeta e hershme në vitin 1308 nga autori bullgar L. Serafimov në veprën “TETOVSKO”-Pllovdiv 1900, ku në faqen 66, ndër të tjera përshkruhet si lokalitet ngase ka qenë nën juridiksionin e Kishës së Shën Nikitit të Rashçes, ndërsa në historiografinë e Perandorisë Osmane haset në vitin 1455 me 52 shtëpi, 8 të martuar, 14 kopshte, 1 vresht me një pasuri prej 5915 akçë. Ky fshat prej vitit 1996 graviton në Komunën e Negotinës së Pollogut, ka 5 këshilltarë komunal të cilët në bashkëpunim me Bashkësinë Vendore i koordinojnë punët në interes të përbashkët, ka mbi 1200 shtëpi e mbi 6 mijë banorë. Kufizohet me Toplicën, Pozharanin, Kalishtën, Negotinën e Pollogut dhe Tumçevishtin.
Banorët e këtij lokaliteti njihen si bujq të vyeshëm me produktet, kulturat dhe rendimentet e ndryshme bujqësore si në ish-Jugosllavi po edhe në Luginën e Pollogut, por kanë telashe serioze me ujin për ujitjen e tokave të shumta pjellore siç thonë se uji i lumit të MOSDAÇES nuk i përmbushë nevojat dhe kërkesat, për atë shfrytëzohet sistemi i ujitjes nga lumi Vardar që mbulon pjesën që nuk mund ta ujisin me ujin e lumit Mosdaç, por si në të gjitha fshatrat rrëzë Malit Sharr edhe në Dobridoll blegtoria gjallëron ku kanë mbi 1200 kokë delesh që i kultivojnë pesë familje edhe pse i përkujtojnë qahatë me nam si Xhemil Imerin, Mehmetraif Jusufi etj.
Thuajse nuk dallon fare nga fshatrat tjerë të luginës së Pollogut, para një dekada ka pasur shumë mërgimtarë nëpër hapësirat e ish-Jugosllavisë apo mbi 80 % që janë marrë me gastronomi e të ngjashme, ndërsa sot llogariten diku mbi 20 % në mërgim dhe atë në shtetet e ndryshme të Evropës Perëndimore, 3 familje në SHBA etj, që japin kontribut të jashtëzakonshëm në shumë projekte konkrete në të mirë të vet fshatit. Edhe pse ka mbi 6 mijë banorë thonë se 400 vetë kanë marrë ndihma sociale, por me ligjin e ri tash ka afër 320 që dukshëm nga dita në ditë zvogëlohet numri. Siç kuptova nga Nehat Osmani-sekretar i Bashkësisë Vendore se ky fshat ka nevoja të shumta ku ndër më parësoret përmend meremetimin e Bashkësisë Vendore, të ambulancës së shëndetësisë, hapjen e Zyrës së Vendit që janë duke e kërkuar mbi 10 vjet nga instancat shtetërore etj.
Fshati ka disa rrugë kryesore që lidhen me rrugën rajonale edhe pse shtrirja është më e theksuar mbi rrugën në fjalë që vetë fshati është i ngritur në gjysmë kurorë nga malet dhe kodrat e Sharrit e pjesa më vitale në rrafsh, apo pjesën e cila nga dita ditës është duke marrë trajtën e një vendbanime me elemente bashkëkohore.
Në vitin 1998/99 si dhe me vetëkontribut banorët e këtij fshati të cilët me afro 30 % Komuna e Negotinës ka participuar për t’i shtruar rrugët me asfalt, investimi ka kushtuar mbi 100 mijë euro, por është evidente se nuk ka të zhvilluar aspak kanalizimin edhe pse siç kuptova nga kryetari i Bashkësisë Vendore, Ajet Kamberi se janë duke hartuar projektin ideor për këtë çështje tepër të nevojshme.
Uji për pije është i zgjidhur në vitin 1986 që për të përkujdeset Ndërmarrja Publike Komunale “Komunalec” për këtë çështje jetike thonë se së paku edhe për dy dekada nuk do kenë kokëçarje edhe pse nga dita në ditë ky lokalitet zgjerohet, e që dëshmon ndërtimi i mbi 200 shtëpive të reja vetëm në dekadën e fundit, edhe pse në Dobridoll nuk ka shpërngulje fshat-qytet si dhe nuk ka të ardhur nga fshatrat e malësisë.
Në vitin 1991 është mëvetësuar shkolla fillore për të cilën thotë drejtori Enver Hasani se është përcjellë kërkesë me projekt të gatshëm nëpër të gjitha instancat relevante shtetërore dhe shoqatave të ndryshme për ndërtimin e Sallës Sportive, shuma e së cilës është mbi 150 mijë euro, por kanë shpresë se tash e udhëheq këtë ministri kuadër i BDI-së e do t’i ketë në konsideratë kërkesat e shkollave shqipe. Sot vijojnë mësimin 802 nxënës në 28 paralele dhe 2 grupe parashkollorësh. Po ashtu në këtë shkollë fillore qendrore zhvillohet “mësim-besimi” nëpër klasat e treta thuajse 100 %.
Në vitin 1999 prej Ambasadës Gjermane është ndërtuar një mësonjëtore e cila ka kushtuar 8 mijë euro. Nuk kanë munguar investimet konkrete siç është rasti i Ministrisë së Pushtetit Lokal që në vitin 2001 është instaluar nxehja qendrore dhe sanitari i shkollës që ka kushtuar mbi 50 mijë euro. Në vitin 2002 organizatës USAID-IOM i është shtruar kërkesë me projektin e gatshëm për meremetimin e çatisë së shkollës, i cili projekt do të kushtojë mbi 21 euro ku edhe vetë Bashkësia Vendore do të participon me 15 %, e që pritet së shpejti të fillojë realizimi i këtij projekti. Drejtori Enver Hasani shpreh mirënjohje publike në emër të shkollës dhe banorëve të fshatit për të gjitha ndihmat konkrete dhe se ka shpresë se së shpejti projekti ideor për një kabinet të informatikës i cili parashihet të kushtojë afër 8 mijë euro do të bëhet realitet që presin ta mbështesë OXFAM. Mbi 90 % e semimaturantëve vazhdojnë shkollimin e mesëm. Edhe në Dobridoll dukuria e shpërnguljes së nxënësve është evidente siç përmend drejtori Enver Hasani, vetëm gjatë 4 viteve janë shpërngulur thuajse dy paralele me prindërit në Itali, Zvicër, Austri, Gjermani, Slloveni etj.
Studimet universitare i ndjekin thuajse mbi 30 % të atyre që mbarojnë shkollimin e mesëm, më të fokusuar janë në Universitetin e Tetovës, UEJL, Tiranë, Prishtinë, Shkup, Lubjanë e gjetiu. Gjithashtu ky fshat ka edhe Klubin e Futbollit “BESA” i cili ndihmon në ngritjen e dhe vetëdijesimin sportiv tek të rinjtë e fshatit dhe rrethit. Duhet përmendur se në këtë fshat punësimi është thuajse më se simbolik, por kanë shpresë se me trendët e pas luftës së 2001 do të ndryshojë kjo gjendje e mjerueshme në të mirë të të gjithëve.
Në rrafshin e çështjes kombëtare të cilës i kanë dhënë personalitete me nam si Qamil Pajaziti, i cili ka pasur të kryer Akademinë Ushtarake- kryetar i rrethinës ndërsa Rakip Pajaziti përgjegjës prej Tetove deri në Ohër, të cilin okupuesit bullgar e kanë pushkatuar si dhe përmenden tre të ekzekutuar në vitet 1912 deri më 1918, po ashtu përmendet sinonimi, pishtari i çështjes kombëtare intelektuali i rrallë i këtyre anëve Sali Lisi si dhe Bajram Dobridolli, që duhet të ndriçohen në historiografinë shqiptare. Ndër mësuesit e parë nga Dobridolli përmenden me pietete si; Muharrem Zeqiri, Muharrem Shabani, Nasir Qazimi, Nexhat Ismaili, Selim Vehapi, Femi Qazimi, Xhevat Halili, Ismailqemal Ismaili, Zudi Haliti, Imer Fejzuli, Naibe Doko-Ibrahimi, Safet Ibrahimi, Jusuf Milaimi, Asllan Ismaili, ku vlen të përmenden si mr.scc. Melik Arsllani-profesor i artit figurativ, piktori Ali Sinani i cili punon dhe vepron në Zvicër, piktori Senad Iljazi i cili punon dhe vepron në Sloveni. I po këtij fshati është shkrimtari, historiani dhe politologu Xhemal Ahmeti, i cili në vitet e 80-ta u dënua me 6 vjet burg për kundërrevolucion dhe „Kosovën Republikë“. Ai sot është ligjërues i filozofisë, mediave dhe historisë në institute të ndryshme të perëndimit dhe jeton në Zvicër si dhe shumë e shumë emra të tjerë që janë në rrjedhat e ndryshme shoqërore-politike, ekonomike, kulturore-arsimore e të ngjashme.
Vend-emërtimet popullore janë evidente në shprehjet e tyre të përditshmërisë si; vend-emërtimet në kodra-male-fusha; Kuçi Baba, Rrafsha e Madhe, Rrafsha e Lëndinës, Rrafsha e Sadikut, Rrafsha e Tafëçarkut, K’shtijat e Ngata, K’shtijat e Largta, Pulishtejna, Tumba ku më të vjetrit thonë se ka pasur katër kisha të lashta dhe se kanë pesë vend-varreza, Përroi, Udha e Fushës, Udha e Shkupit, Ara e Gjatë, Ara e shkurt, Dragsia, Shullankat, Arat e Jazit, Arat e Toplicës, Arat e Pesokut, Arat e Mosdaçes, Arat e Tomçevishtit etj.
Fshati ndahet në katër lagje; Jakupe, Halile, Lice (për të cilët thonë se janë me të lashtë në këtë fshat) dhe Alisane. Si në të gjitha fshatrat edhe në Dobridoll janë meratë (llagapet që ende i ruajnë me xhelozi) e familjeve si; Gërushe (Gëre),Gjonket, Leket, Canallarët, Pangjellët, Licet, Preshket, Stepet, Doçet etj.
Ju lutem na informoni
SHHD 2025 @ Copyright. All Right Reserved.